“Këshilluese psiko-sociale” (kohë e plotë) – dy pozicione
Qendra Shqiptare për Impakt Social (QSHIS) shpall dy vende vakante për pozicionin e Këshillueses psiko-sociale, për t’u bashkuar me ekipin e shërbimit të këshillimit për gra dhe vajza të mbijetuara të dhunës.
Të dhëna për pozicionin
Titulli i pozicionit: Këshilluese psiko-sociale
Vendndodhja: Tiranë (shërbim me prani fizike në qendër)
Angazhimi: Kohë e plotë
Pagesa: Sipas strukturës së pagave të organizatës
Afati i aplikimit: 12 shtator 2026, ora 17:00
Adresa e aplikimit: info@sica.al dhe linjakeshillimit@gmail.com
Rreth organizatës
Qendra Shqiptare për Impakt Social (QSHIS), e njohur më parë si Linja e Këshillimit për Gra dhe Vajza, është organizatë jofitimprurëse që prej vitit 1996 ofron pa pagesë këshillim për viktimat e dhunës me bazë gjinore, dhunës ndaj grave dhe dhunës seksuale. Mbështetja përfshin suport emocional dhe psikologjik, informim mbi të drejtat dhe referim në shërbime të tjera mbrojtëse.
Në vitin 1996 organizata ngriti linjën e parë të këshillimit në Shqipëri. Aktualisht Linja Kombëtare e Këshillimit ofron këshillim psikologjik falas përmes numrit pa pagesë 116 117, në një qendër thirrjesh në Tiranë, 24 orë në ditë, 7 ditë të javës, për të gjitha viktimat e dhunës në familje.
Ndër vite, shërbimet e organizatës kanë mbështetur rreth 435.000 gra me këshillim telefonik, mbi 92.000 viktima me këshillim ballë për ballë dhe rreth 27.000 gra me këshillim në grup, duke arritur veçanërisht gra të zonave rurale me akses të kufizuar në shërbime të ngjashme.
Përveç shërbimit të drejtpërdrejtë, QSHIS forcon kapacitetet e qendrave të tjera këshilluese, ofron trajnime, advokon për reforma ligjore në favor të të drejtave të grave dhe publikon materiale informuese e kërkimore.
Qëllimi i pozicionit
Këshilluesja psiko-sociale ofron mbështetje të specializuar, të përqendruar te viktima dhe të ndjeshme ndaj traumës, për gra dhe vajza të mbijetuara të dhunës, duke garantuar sigurinë, konfidencialitetin dhe fuqizimin e tyre në çdo fazë të trajtimit të rastit.
Dy nën-profile të pozicionit
Dy vendet vakante kanë të njëjtin titull, të njëjtin nivel dhe të njëjtën strukturë raportimi, por ndahen sipas kompetencave profesionale të përcaktuara me ligj:
Pozicioni A — Këshilluese psiko-sociale (profil psikologjik)
- Kryen vlerësimin psikologjik të rastit dhe ndërhyrjen klinike në krizë, përfshirë rastet me rrezik për jetën.
- Ofron këshillim psikologjik individual dhe mbështetje të ndjeshme ndaj traumës.
- Udhëheq seancat e këshillimit në grup dhe kontribuon në diskutimin klinik të rasteve komplekse.
Pozicioni B — Këshilluese psiko-sociale (profil psiko-social dhe menaxhim rasti)
- Kryen vlerësimin e nevojave dhe të rrezikut social, hartimin e planit individual të sigurisë dhe të ndërhyrjes.
- Menaxhon rastin, koordinon referimet dhe ndjek ecurinë brenda Mekanizmit të Koordinuar të Referimit.
- Ofron mbështetje emocionale, informim mbi të drejtat dhe advokim institucional pranë shërbimeve mbrojtëse.
Detyrat dhe përgjegjësitë kryesore
Shërbimi i drejtpërdrejtë
- Ofron këshillim psiko-social përmes linjës telefonike dhe ballë për ballë për gra dhe vajza viktima të dhunës në familje, dhunës me bazë gjinore, dhunës digjitale dhe dhunës seksuale.
- Zhvillon seanca këshillimi ballw pwr ballw ose në grup për të mbijetuarat e dhunës.
- Kryen vlerësimin e nevojave dhe vlerësimin e rrezikut për çdo rast, duke hartuar plan individual të sigurisë dhe të ndërhyrjes.
- Referon rastet në institucionet përkatëse (polici, bashki, shërbime shëndetësore, gjykata, ndihmë juridike, strehëza) dhe ndjek ecurinë e referimit.
- Garanton një ambient mikpritës, të sigurt dhe pa gjykim për çdo përfituese që paraqitet në qendër.
Parandalimi, informimi dhe advokimi
- Organizon dhe zhvillon seanca edukuese e informuese për grupet e synuara nga programet e organizatës.
- Merr pjesë në aktivitete advokuese dhe ndërgjegjësuese të QSHIS dhe përfaqëson organizatën në trajnime, konferenca e seminare.
Bashkëpunimi dhe puna në ekip
- Bashkëpunon me këshilluesen ligjore, ekipin këshillues dhe stafin administrativ për trajtimin e rasteve komplekse.
- Bashkëpunon me Ekipet Teknike Ndërdisiplinare të Mekanizmave të Referimit në nivel vendor dhe qendror.
- Merr pjesë në mbledhjet javore dhe mujore të ekipit, ku paraqet progresin e punës dhe çështjet për diskutim.
- Merr pjesë në supervizim profesional të rregullt dhe në trajnimet e detyrueshme të vazhdueshme.
Dokumentimi dhe përgjegjësitë administrative
- Dokumenton rastet dhe përgatit raporte narrative e vlerësuese për ndjekjen e tyre, në përputhje me protokollet e mbrojtjes së të dhënave.
- Administron bazën e të dhënave dhe kontaktet e shërbimeve vendore, duke informuar ekipin për çdo ndryshim ose problematikë të re.
- Është e gatshme të udhëtojë në mënyrë të pavarur brenda dhe jashtë vendit për detyra pune.
Kriteret e detyrueshme
- Diplomë Bachelor dhe Master (Master i Shkencave ose Master Profesional) në Psikologji ose në Punë Sociale, me rezultate shumë të mira. Për Pozicionin A kërkohet detyrimisht diplomë në Psikologji.
- Licencë e vlefshme pranë Urdhrit të Psikologut ose Urdhrit të Punonjësve Socialë të Republikës së Shqipërisë, sipas profilit të aplikimit, ose gatishmëri për t’u licencuar brenda periudhës së provës.
- Për Pozicionin A: specializim, trajnim ose eksperiencë e dokumentuar në trajtimin e rasteve të dhunës me bazë gjinore, dhunës në familje dhe dhunës ndaj fëmijëve.
- Minimalisht 3 vjet eksperiencë pune në projekte ose shërbime të ngjashme, në organizata të shoqërisë civile ose institucione publike.
- Eksperiencë e provuar në punë të drejtpërdrejtë me grupe të margjinalizuara ose në situatë vulnerabiliteti.
- Njohuri të mira të legjislacionit, politikave dhe shërbimeve publike për dhunën në familje dhe dhunën me bazë gjinore.
- Njohuri në fushën e të drejtave të njeriut dhe barazisë gjinore.
- Aftësi shumë të mira komunikimi me shkrim dhe me gojë në gjuhën shqipe.
- Njohuri shumë të mira të gjuhës angleze, me shkrim dhe me gojë; testimi kryhet nga QSHIS.
- Zotërim i mirë i paketës Microsoft Office, përfshirë Excel.
- Banuese në Tiranë ose e gatshme të zhvendoset përpara nisjes së detyrës.
Kompetencat dhe cilësitë profesionale
- Aftësi të shkëlqyera dëgjimi aktiv, empatie dhe qasje pa gjykim.
- Aftësi për të menaxhuar raste komplekse dhe për të marrë vendime të shpejta e të përgjegjshme në situata krize.
- Ndjeshmëri e lartë ndaj çështjeve të barazisë gjinore dhe qasje e ndjeshme ndaj traumës.
- Përkushtim ndaj ruajtjes së konfidencialitetit dhe mbrojtjes së të dhënave personale të përfitueseve.
- Aftësi të shkëlqyera ndërpersonale, punë e pavarur dhe përshtatje në ekipe multidisiplinare.
- Gatishmëri për të punuar edhe në orare pasdite, sipas nevojave të shërbimit.
- Punë në përputhje me standardet e shërbimit të Linjës Kombëtare të Këshillimit për Viktimat e Dhunës në Familje.
Asete shtesë (të preferuara, jo të detyrueshme)
- Trajnim i certifikuar në ndërhyrje në krizë, këshillim telefonik, terapi të ndjeshme ndaj traumës ose menaxhim rastesh.
- Eksperiencë në punë me fëmijë të ekspozuar ndaj dhunës.
- Njohuri të një gjuhe të dytë të huaj ose aftësi komunikimi me komunitete pakicë.
Ç’ofron QSHIS
- Punë kuptimplote në një organizatë me mbi tri dekada eksperiencë në mbrojtjen e të drejtave të grave.
- Supervizim profesional të rregullt dhe mbështetje për parandalimin e lodhjes profesionale (burnout).
- Mundësi trajnimi, specializimi dhe përfaqësimi në aktivitete kombëtare e ndërkombëtare.
Mënyra e aplikimit
Kandidatet e interesuara duhet të dërgojnë në adresën info@sica.al dokumentacionin e mëposhtëm:
- CV të përditësuar.
- Letër motivimi (jo më shumë se 500 fjalë).
- Një letër reference nga punëdhënës i mëparshëm ose nga staf akademik i universitetit ku janë kryer studimet.
- Listë e notave
Në subjektin e e-mailit duhet të specifikohet: “Aplikim — Këshilluese psiko-sociale për viktimat e dhunës”
Afati i dorëzimit: 12 shtator 2026, ora 17:00. Aplikimet e paplota ose të dorëzuara pas afatit nuk shqyrtohen.
Procesi i përzgjedhjes
Shqyrtimi i aplikimeve zhvillohet në bazë të meritës. Kandidatet e përzgjedhura në listën e ngushtë njoftohen me e-mail ose telefon për intervistë, që mund të përfshijë një ushtrim praktik të bazuar në rast dhe testim të gjuhës angleze. Vetëm kandidatet e listës së ngushtë kontaktohen. Nga procesi përzgjidhen dy kandidate; kandidatet e tjera të kualifikuara mund të mbahen në listë pritjeje për vakanca të ardhshme, me pëlqimin e tyre.
Konfidencialiteti dhe shanset e barabarta
Të gjitha aplikimet trajtohen me konfidencialitet të plotë dhe të dhënat personale përpunohen vetëm për qëllime rekrutimi, në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale. QSHIS garanton shanse të barabarta për të gjitha kandidatet, pa diskriminim.
Në përputhje me standardet e shërbimeve për viktimat e dhunës me bazë gjinore, shërbimi i drejtpërdrejtë për gra dhe vajza ofrohet nga personel femër; për këtë arsye pozicioni është i hapur për kandidate femra.
