Linja e Këshillimit per Gra dhe Vajza (LKGV) po kërkon 2 këshilluese të reja për t’iu bashkuar ekipit të saj këshillues.
Rreth nesh:
Linja e Këshillimit për Gra dhe Vajza është një organizatë jo-fitimprurëse e cila që prej vitit 1996 ofron në mënyrë të vazhdueshme këshillim falas për viktimat e dhunës me bazë gjinore, dhunës ndaj grave dhe dhunës seksuale, me anë të implementimit të projekteve të ndryshme. Mbështetja e dhënë falas konsiston në suportin emocional dhe psikologjik, dhënien e informacionit si edhe referimin nëpër shërbime të tjera që japin mbështetje për dhunën me bazë gjinore. Ne u japim fuqi grave të margjinalizuara duke rritur nivelin e tyre të informacionit mbi të drejtat e tyre, duke mundësuar këshillim falas, trajnime, duke rritur kapacitete të qendrave të tjera këshilluese, duke lobuar për ndryshime ligjore në favor të të drejtave të grave, si edhe duke publikuar materiale që lidhen me të drejtat e të rinjve dhe grave në veçanti.
Veprimtaria kryesore e Linjës së Këshillimit për Gra dhe Vajza konsiston në Këshillim telefonik, këshillim ballë për ballë, këshillim në grup, identifikim nevojash, referim në shërbime të tjera, si edhe mbështetje psikologjike dhe sociale, për viktimat e dhunës në familje.
Në vitin 1996, “Linja e Këshillimit për Gra dhe Vajza” ka ngritur të parën linjë këshillimi në Shqipëri. Tashmë Linja Kombëtare e Këshillimit ofron shërbimin e këshillimit psikologjik falas nëpërmjet numrit telefonik pa pagesë 116117 në formë të pandërprerë në një qendër të vetme thirrjesh të vendosur në Tiranë. Ajo është në dispozicion të të gjitha viktimave të dhunës në familje 24 orë në ditë, në 7 ditë të javës.
Në njëzetë e tre vitet e fundit, që nga dita e themelimit, rreth 270,000 grave u është ofruar mbështetje dhe këshillim në telefon, 30.000 viktima kanë përfituar terapi me anë të këshillimeve ballë për ballë, dhe rreth 9,200 gra kanë marrë pjesë në këshillimet në grup. Linja e këshillimit asiston me shërbimet e saj shumë gra të zonave rurale të cilat nuk kanë asnjë lloj aksesi ndaj shërbimeve të ngjashme.
Përshkrimi i punës dhe detyrat e këshillueses:
• Ofron këshillim psiko-social, nëpërmjet linjës telefonike dhe ballë për ballë, për gratë dhe vajzat, viktima të dhunës në familje, dhunës me bazë gjinore apo seksuale
• Ofron këshillim në grup për gratë dhe vajzat, të mbijetuara të dhunës me bazë gjinore
• Ofron seanca ndërmjetësuese dhe referon rastet në institucionet e tjera përkatëse (polici, bashki, qendra shëndetësore, gjykata etj.)
• Siguron një ambjent mikpritës dhe të sigurtë për gratë dhe vajzat që paraqiten në qendër
• Vlerëson rrezikshmërinë e rasteve të paraqitura
• Merr pjesë në aktivitetet dhe eventet advokuese dhe informuese të organizuara nga LKGV
• Bashkëpunon me pjesëtaret e tjera të ekipit këshillues, stafin administrativ dhe këshilluesen ligjore për trajtimin e rasteve të vështira
• Merr pjesë në mbledhjet mujore ku paraqet progresin e punës
Përgjegjësi administrative:
• Përgatit raporte narrative dhe vleresuese per ndjeken e rasteve
• Mban bazën e të dhënave dhe kontakteve lokale, si dhe informon stafin për çdo ndryshim pozioni, problematika të reja, etj.
• E gatshme të udhëtojë në mënyrë të pavarur në qytete të ndryshme të Shqipërisë si dhe jashtë vendit
• Keshilluesja raporton drejtpërsëdrejti tek Koordinatorja e Programeve
Kandidatja për këtë pozicion duhet të plotësojë këto kritere:
• Të ketë përfunduar studimet e plota (bachelor dhe master) në Psikologji, Punë Sociale, Psikiatri ose degë të tjera të ngjashme, me rezultate shumë të mira
• Të jetë banuese në qytetin e Tiranës
• Të ketë eksperienca të mëparshme pune me grupet e margjinalizuara
• Të jetë njohese e shërbimeve publike, politikave dhe legjislacionit kombëtar për sa i përket dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore
• Të ketë të paktën 3 (tre) vite eksperiencë pune në projekte të ngjashme në organizata të shoqëriseë civile ose institucione publike
• Aftësi të shkëlqyera komunikimi, si në të shkruar edhe në të folur
• Zhdërvjelltësi në përdorimin e paketës bazë Microsoft Office
• Njohuri shumë të mira në gjuhën angleze, në të shkruar dhe të folur. Testimi i gjuhës do të kryhet nga vetë Linja e Këshillimit
• Njohuri të mira mbi funksionimin e programeve të ndërgjegjësimit të komunitetit dhe vecanërisht të dhunës në familje
• Njohuri dhe eksperiencë në fushat e të drejtave të njeriut në përgjithësi
• Të jetë e aftë të menaxhojë raste të vështira
• Të zotërojë aftësi të shkëlqyera dëgjuese, të jetë e aftë të marrë vendime të shpejta dhe të mos shfaqë tendenca gjykuese
• Të garantojë ruajtjen e konfidencialitetit të viktimës
• Të ketë ndjeshmëri ndaj cështjeve të barazisë gjinore
• Të zotërojë aftësi të shkëlqyera ndërpersonale dhe komunikimi
• Të jetë e gatshme të punojë edhe gjatë orarit të pasdites (16:00-20:00)
• Të punojë në përputhje me standardet e shërbimit të Linjës Kombëtare Të Këshilllimit për Viktimat e Dhunës në Familje
• Aftësi për të punuar në mënyrë të pavarur dhe mundësi përshtatjeje në grupe të ndryshme
Mënyra e aplikimit:
Të interesuarat të dërgojnë në adresën tonë elektronike [email protected] dokumentacionin e mëposhtëm:
• Një kopje të CV-së
• Letër motivimi (jo më shumë se 500 fjalë)
• Një letër reference nga punëdhënësit e mëparshëm ose stafi akademik i Universitetit ku kanë ndjekur studimet e larta
Në subjektin e e-mailit duhet të specifikohet titulli i pozicionit për të cilin po aplikoni: Këshilluese psiko-sociale për viktimat e dhunës në familje
Kandidatet që do të përzgjidhen do të njoftohen nëpërmjet e-mail ose numrit të telefonit për tu paraqitur për intervistë. Të gjitha CV-të e sjella do të trajtohen me konfidencialitet të plotë. Linja e Këshillimit ju siguron për dhënien e shanseve të barabarta të gjithë kandidatëve.
Afati i dorezimit të aplikimeve është deri më datën 31.07.2019.